Baba Arshi Bazaj (1906 - )

 

 BABA NË DY SHEKUJ



Baba Arshi Bazaj është plot 100 vjeç. Ka lindur në Sevaster të Vlorës më 1906. E shtrirë në dy shekuj jeta e tij gjallon akoma. Ka dy sy jeshil plot dritë dhe një energji fizike gati mahnitëse. Ulet në kolltukun e tij, në kafeoxhakun e teqesë bektashiane në Detroit dhe për gjithkënd që hyn brenda çohet si të ishte 18 vjeçar. “Ulu ejvallah, mos u ço për mua” i thonë të gjithë. Ai mërzitet. “Ka rregulla teqeja, a të lutem!” kthen përgjigje. Pak njerëz dinë për jetën e tij. Shumë të fshehta ai ia pati besuar vetëm Baba Rexhebit. Një mjegullnajë gati shkatërruese endet akoma mbi fëmijërinë dhe rininë e këtij kleriku stoik bektashian. Tri herë mora bllokun dhe lapsin në duar për t’i dhënë te kuptonte se duhej të shkruaja për të. Tri herë nuk më foli fare për jetën e vet. Me një mburrje karakteristike labe, donte të fliste vetëm për Vlorën dhe djemtë e saj. Kish njohur Skënder Muçon dhe Qazim Koculin.

 

Më parë kishte luftuar në krah të Hysen Lepenicës dhe nuk e hiqte nga goja. Nga Mid'hat Frashëri kishte pasur si kujtim një libër të Naimit “Fletore e Bektashinjve” por kur e ndiqnin komunistët në malet e Kukësit, në vitin 1945, të gjithë çantën e librave e dogji. Pastaj së bashku me dy tri shokë kanë çarë rrethimin me bomba dore dhe kanë mundur të kapërcejnë kufirin.

 

“Po pastaj?” e pyes unë, ndërsa bëjmë të dy së bashku një shëtitje në orët e muzgut, në oborrin e teqesë në Detroit. “Pastaj mas e xhugit”! Unë e kuptoj që s’duhet pyetur më. Dalëngadalë i kam mësuar një sekret. I kërkoj të shkojmë së bashku tek tyrbja ku prehet shenjtori i madh, Baba Rexhebi, të vetmen gjë ai nuk e refuzon. Ecim ngadalë. Herë-herë ai ja merr ndonjë kënge të bukur labe. Tekstet e këngëve janë të bukura, siç janë kënduar përpara 70 vjetëve, madje fjalët gjysmat shqip e gjysmat turqisht më krijojnë një ndjenjë humori. Në tyrbe nuk lejon të flasë askënd. Bën vetëm shenja me dorë, a thua se Baba Rexhebi po fle disa çaste dhe nuk ka dëshirë t’ia prishë dikush gjumin. Në kthim, pasi i është herë qejfi që unë kam puthur mezarin, nis me tregojë sërish. Ka vuajtur plot 6 vjet në kampet e punës në Greqi dhe Itali. Është përballur me aventurierë dhe agjentura gjithfarësh por Haxhi Veli Bektashi e ka ruajtur. Mban si hajmali në gjoks një thënie të Salih Njiazi Dedeit, i cili një natë dimri të vitit 1940, ndërsa kishte bujtur në Tiranë, në Selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, i ka thënë: “Dëgjo evlat! Mund të ndodhi në jetë të kalosh nga njëra fatkeqësi në tjetrën. Nga njëri hidhërim në tjetrin. Nga njëra sakrificë në tjetrën. Haxhi Veli Bektashin mos e ndaj nga besimi i shpirtit dhe do t’i kalosh të gjitha”.

 

Përpara Baba Arshi Bazajt je si përpara një labirinti të mbushur me tregime, këngë e ndodhi gjithfarësh. Për të tentuar të ndriçosh sado pak këtë labirint duhet t’i thuash disa fjalë të mira për Vlorën. Kështu bëj edhe unë. Më rrëfen pastaj se me ndihmën e Baba Rexhebit si edhe të autoriteteve shtetërore amerikanë ka ardhur nga kampet e punës në Itali dhe është vendosur në teqe, në Detroit.

 

Ka punuar shumë. Ka arritur të mbajë së bashku edhe me dy - tri besimtarë të tjerë rreth 5000 pula në teqe. Ka dalë tek dera e teqesë duke shitur vezë apo perime të freskëta për vite të tëra. Ka një dashuri të thellë dhe të dukshme për Baba Rexhebin. Gjithçka që ndodh sot në teqe, e sheh me sytë e udhëheqësit të dikurshëm shpirtëror. Shkon disa herë në ditë tek tyrbja. Në muzg me perëndimin e diellit ndez çirakët. Kur sheh diçka që nuk shkon thotë si me gjysmë zëri: “Ah, jo, jo, këtë s’e donte Baba Rexhebi”.

 

Besimtarët bektashian nga Skrapari dhe Dibra, nga Prespa dhe Tetova, nga Vlora dhe Kruja, vijnë e takojnë dhe i puthin duart babait shekullor. Fragmente historish, legjendash, këngësh apo sentenca bektashiane shpalosen në kafeoxhakun e hijshëm, aty ku rri zgjuar kurdoherë mirësia dhe dashuria. Baba Arshiu rri aty, i vëmendshëm, i gatshëm të japë përgjigje në telefon, i heshtur kur pyesin për të kaluarën e vet. Të vetmin merak në këtë 100 vjet jetë e ka që nuk e pa dot edhe një herë Vlorën, Sazanin, Karaburunin dhe sidomos rrënojat e shtëpisë së tij në Sevaster. Shtëpinë e tij e patën bombarduar italianët në vitin e largët 1942 por disa mure patën mbetur. Ai i flamosuri, komunizmi ja pati rrënuar fare sepse ishte shtëpia e një të arratisuri.

 

Ende e kam në kujtesë agun e asaj dite marsi, derisa po përgatitesha të merrja avionin nga Detroiti për në New Jork, kur Baba Arshiu erdhi në dhomën time dhe sikur po më zbulonte ndonjë sekret shtetëror, me gjysmë zëri më tha: “Të kam zierë nja dhjetë kokë vezë, t’i kesh për rrugës, se kështu bënte edhe Baba Rexhebi”! Brenda atij çasti zbulova të vërtetën e madhe se duke jetuar me dashurinë për Krijuesin, mund të jetosh edhe një shekull me dashurinë për njerëzit.

 

---Syrja Xhelaj 

 

Bektashi Cloud

User login

Navigation

Who's online

There are currently 0 users and 44 guests online.