Bektashizma

Te përunjrit e Aliut

Lulet e Bektash Veliut

Njohuri kan' prej vetiut

Tufë lulesh Bektashinjtë  

     -Turabi Ali Dede-

 

Bektashizma është dogma mistike islame që merret me përsosmëninë e njeriut. Është rruga që e udhëheq ndjekësin dhe e shpie në objektivin e dëshiruar, në afrimin me Zotin.

 

Është ajo vijë vetmitare mistike (shettar) që e mergon ndjekesin nga të gjitha shijat e kësaj bote dhe e pajis me dashurinë e Zotit. Ndjekësi në këtë menyrë pastrohet nga "Ma sivaja" (nga çdo gjë përveç Zotit) dhe, i dehur me dashurinë e Zotit, shkrihet fare (fena fillah) në 'të dhe mbetet tek Ai (beka billah).

 

Bektashizma adhuron dhe respekton gjithë urdhëresat dhe veprimtaritë islame. Baza e saj është Kurani dhe fjala e Profetit Muhammed (a.s.). Bektashizma adhuron Zotin e Madh dhe i falet Atij, duke e njohur si Pushtetin e Plotfuqishëm, Krijuës të çdo gjëje.

 

Admiron Profetin Muhammed si ndriçuës botnor i dritës islame dhe i kushton një respekt të madh të Madhit Ali, i cili - i frymëzuar nga Profeti Muhammed (a.s.) me frymën mistike islame - është Ai që e paj isi botën islame, për herë të parë, me njohuritë dhe dritën mistike, sa u-mburr dhe uquajt nga të gjithe mistiket islameShah-i Evlija, që do të thotë "Mbreti i Shenjtorevet".

 

Ky frymëzim rrodhi në këtë menyrë: Një ditë i Madhi Ali i tha Profetit Muhammed (a.s.):

"O Profet i Zotit ! Lutem më tregoni rrugën më të afërt tek Zoti, më të mirën ndaj Tij, dhe më të lehtën për popullin."

 

Është ajo që u-përfitua prej Profecisë, i dashuri im, i u përgjegj Profeti.

"Por cila është ajo?" pyeti përsëri Aliu. Vazhdimi i përmëndjes në vetmi dhe kudo që të ndodhesh, i u përgjegj Profeti i Madh Muhammed (a.s.). "Por qysh t'a përmëndim Zotin?" pyeti përsëri i Madhi Ali. Atëhere Profeti i Madh qëndroi përpara Aliut, i dha urdhër të mbyllte sytë, të afronte veshin dhe të dëgjonte. Në ate rast Profeti shqiptoi tri herë frazën e Njëtimit, që është, "S'ka Zot tjetër veç Zotit të Madh!"

 

Si mbaroi kjo, i dha urdhër Aliut t'a shqiptonte edhe Ai këtë frazë.

 

Aliu i dëgjoi këto dhe, simbas urdhërit, e shqiptoi edhe Ai tri herë këtë frazë: "S'ka Zot tjetër veç Zotit të Madh!"

 

Si mbaroi kjo ceremoni, Aliut i u hapën misteret e fshehta të botës shpirtërore dhe i u frymëzua përsosmëria.

 

I Madhi Ali këtë dritë hyjnore u a la trashëgim fëmijës Profetike, Imamëvet me radhë, gjë e cila u-trashëgua bres pas brezit nder 'ta, deri sa erdhi tek Piri i ynë Hunqar Haxhi Bektash Veliu i shënjtë.

 

Ky është, pra, kuptimi dhe rëndësia që i japin Bektashinjtë fjalëvet: Allah, Muhammed, Ali, të cilat janë interpretuar keq nga të gjithë ata që mundohen dhe duan t'a luftojnë e t'a përçmojne parimin bektashian.

 

Përveç detyravet dhe normavet të përgjithëshme fetare islame, Bektashizma ka si evrad (zakon) dhe dy lutje të veçanta, njerën në mëngjes kur agon dita, dhe tjetrën në mbrëmje kur perëndon dielli. Në këto i lutet Zotit për mbarëvajtjen dhe përparimin e gjithë njerëzimit.

 

Përveç agjërimit të përgjithëshëm islam, Bektashizma bën edhe agjërimin përkujtimor të Matemit (zisë), që është zija e Qerbelasë. Në këto ditë përkujton të gjithë dëshmorët e Qerbelasë, me Hysejnin e Madh në krye, të cilët ranë dëshmorë në fushën e nderit, duke qënë të etuar e të djegur për një pikë ujë në vapën e Gushtit.

 

Këtë nuk e bëjnë vetëm Bektashinjtë, por e gjithë bota islame, sidomos të gjitha rrugët mistike e çmojnë dhe e përkujtojnë këtë sakrificë dhe, per nder të dëshmorëve të Qerbelasë, për dhjetë ditë me radhe nuk pijnë ujë.

 

Shtojmë këtu se një gjë e tillë nuk është nje urdhënesë fetare, por një dëshirë fakultative, e vënë në zbatim vullnetarisht nga të gjithë. Perveç këtyre, Bektashizma feston dhe ditëlindjen e të Madhit Ali, për t'a nderuar si frymëzuësin e parë të dogmës islame.

 

Ceremonitë bektashiane bëhen të gjitha para publikut, përveç ceremonivet të dorëzimevet dhe të lutjevet të posaçme, në të cilat marrin pjesë vetëm ata që janë anëtarë spiritualë, domethënë muhibë.

 

Ky është një rregull i përgjithëshëm i misticizmës, e cila i rezervon hollësitë e saja nga ata që s'kanë pjekurinë e duhur dhe nuk i quan të aftë per t'i kuptuar këto hollësi. Këtë e tregon vetë fjala misticizmë, e cila vjen nga rrënja greke "mistikos", qe domethënë sekret.

Bektashi Cloud

User login

Navigation

Who's online

There are currently 0 users and 45 guests online.