Salih Nijazi Dedei

Sali Niazi Dedei është shqiptar nga Starja e Kolonjës, nga një familje e njohur. Eshte i biri i Dervish Cufes nga ay katund. Ka lindur nga fundi i shekullit të XIX-të. Datën e saktë të lindjes së tij nuk e kemi, vetëm dimë që, mbasi mbaroi mësimet fillore atje, emigroi qysh i ri në Anatoli.

 

Mbasi ridhte nga një familje bektashiane, shkonte perherë e vizitonte teqene e Haxhi Bektashit atje, ku, pas pak kohësh, mori dorë nga kryegjyshi i atëhershëm, Fejzi Dedei.

 

Duke vizituar gjithnjë teqenë, i hyri dashuria shpirtërore dhe vendosi t’i kushtonte jetën shërbimit të rugës së Haxhi 

Bektashit. Në këtë mendim bëri premtimin solemn atje dhe iu nënshtrua shërbimit dhe edukatës fetare në atë teqe, 

duke u pajisur mirë me kulturë fetare. Pasi kapërceu provimet e duhura, u vesh dervish prej haxhi Fejzi Dedeit.

 

Në vitin 1908 Fejzi Dedei e dekretoi baba dhe e dërgoi me misjon në Shqipëri, për t mbledhur ndihma për t’i bërë ballë konfliktit që u hap në atë kohë midis Kryegjyshatës dhe Familjes Çelepi, e cila – siç e kemi shpjeguar më parë – rrjedh nga fisi trashëgimtar i frymës së Haxhi Bektashit.

 

Sali Dedei e kreu misionin me sukses dhe u kthye përsëri në teqenë e Haxhi Bektashit, ku, përsëri në teqenë e Haxhi Bektashit, kur, për meritë, hyri në Këshillin e Lartë Klerikal, me gradën gjysh.

 

Më 1916, kur ndërroi jetë Fejzi Dedei, u emërua nga Këshilli Gjyshnor i atjeshëm kryegjysh i të gjithë bektashinjve. Këtë detyrë e kreu me sukses deri më 1926, kur u mbyllën teqetë bektashiane në Turqi nga regjimi i Mustafa Qemalit.

 

Pas Kongresit të Bektashinjve, që u mbajt më 1929 në teqenë e Turanit të Korçës nga Këshilli Gjyshnor i Shqipërisë, që u zgjodh nga Baballarët në atë kohë, u vendos të krijohej Kryegjyshata në Shqipëri, simbas rregullores të përpiluar në atë Kongres, dhe, pr të kryesuar Kryegjushatën, Këshilli thirri Sali Niazi Dedenë.

 

Sali Niazi Dedei erdhi në Shqipëri nga fundi i vitit 1930 dhe më 1931 u ngrit Kryegjyshata në Tiranë, në një vënd të gjerë, të blerë nga të gjithë baballarët e Shqipërisë.

 

Sali Niazi Dedei e kreu me sukses këtë detyrë dhe, në një kohë të shkurtër, hapi Mejdanin, ku u dorëzuan shumë myhibë. Shumë dervishë panë ceremoninë e virgjërimit dhe shumë nga baballarët u dorëzuan gjyshër, si baba Mehmet Kruja, Baba Xhafer Përmeti, Baba Murad Frashëri, Baba Sejid Leskoviku, baba Zylfo Turhani, Baba Sirriu i Kairos dhe shumë të tjerë. Teqeja e re përparoi shumë, sa shumë familje dhe personalitete nga Tirana muarrën dorë nga Sali Niazi Dedei.

 

Simpatia nga kryegjyshit u shtua aq shumë sa vetë qeveria shqiptare e ndihmoi me 1000 napolona ari që të ndërtonte një godinë madhështore në Tiranë. Me këto ndihma të qeverisë dhe të teqevet bektashiane teqeja në Tiranë u fillua dhe mundi të mbarohej në kohën e okupacionit italian, më 1941.

 

Sali Niazi Dedei u instalua në teqen e re deri në datën fatale 1942, datë në të cilën, bashkë me dervish Azizin, ra dëshmor, viktimë e një komplloti terrorist, i organizuar mirë, fshehtësia dhe burimi i të cilit nuk është zbuluar edhe mirë.

 

Sali Dedei shkoi dëshmor i misjonit të tij të shënjtë, por kujtimi nga veprat e tij janë të gjalla kurdoherë, të paharruara dhe jetojnë në zëmrat e të gjithë bektashinjve dhe dashamirësve të tyre.

 

Sali Dedei ka patur dhe talent për nefese, ku përdorte mbiemrin cilësor Nijazi:

 

Rrugës kur i hyra thirra vet kërkova:

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’, ja Ali!

Atij Shahut tim un lutje i drejtova:

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’, ja Ali!

 

Muhamet Aliu është gjith’ sekreti,

Drejt rruga e tyre shkon tek i Vërteti,

Nga Hasan, Hyseni trashëgim na mbeti;

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’, ja Ali!

 

Shahut’ Qerbelasë, në theror i jemi,

Me Zenelin bashkë, me kokë i vemi,

Muhamet bakirit gjurmën ne i a kemi,

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’, ja Ali!

 

Ruaj mua tinë, që un’ të të ruaj,

Tha Hunqari Vetë, këtë ti e gjuaj,

Ndiq vijn’ e Xhaferit dhe me gojë thuaj:

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’, ja Ali!

 

Musai Qazimi ësht’ për neve dritë,

Tekiut, Nekiut u mbajm’ porositë,

Për her’ të vendosur, thrresim nat’ e ditë:

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’, ja Ali!

 

Vargu na arrin tek Hasan Asqeriu,

Esht’ i dymbëdhjet’ti Muhamet Mehdiu,

Niazi i thrret Pirit ton’ Veliut:

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’, ja Ali!

 

Kjo vjershë është e hapët dhe s’ka nevojë për shpjegime.

Bektashi Cloud

User login

Navigation

Who's online

There are currently 0 users and 44 guests online.