Sami Frashëri dhe Islami

nga Namir Lapardhaja, Student i Gjuhës dhe i Letërsisë

 

 

 

Kur flasim për Sami Frashërin menjëherë na vjen ndërmend vepra e tij madhore, që më pas do të bëhej dhe plan-programi i rilindasve tanë, "Shqipëria çka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet".

 

 

 

 

Kjo gjë jo për fajin tonë, sepse deri më sot vetëm me anë të kësaj vepre është njohur ky dijetar dhe enciklopedist i madh.

 

Po të shikojmë veprat e Sami Frashërit, do të gjejmë një larmi shkrimesh, duke filluar nga gjeografia, historia, filozofia etj. Jo më kot e kanë quajtur Samiun, enciklopedi lëvizëse. Sa për ilustrim përmendim këtu enciklopedinë e tij "Kamus el Alam" në gjashtë vëllime me gjithsej 4830 faqe, ku ka me mijëra njësi të veçanta historike dhe gjeografike me karakteristika të hollësishme, që shumë prej tyre nuk i gjen dot diku tjetër. Samiu njihet gjithashtu edhe për temat që preku ai në shumë gjuhë të ndryshme si turqisht, arabisht, persisht, frëngjisht, greqisht etj. Ai njihet edhe si autori i romanit të parë të turqishtes moderne "Dashuria e Talatit me Fitnetin" si dhe hedhësi i themeleve për alfabetin e gjuhës turke. Por në asnjë rast nuk përmendet kontributi i Sami Frashërit që dha në fushën e islamistikës. Kjo për dy arsye kryesore: E para është se ndoshta kjo gjë është lënë pas dore me qëllim, dhe e dyta, ndoshta studiuesit tanë nuk e kanë ditur një gjë të tillë! Sami Frashëri ose siç njihet në librat e tij Shemsedin Sami shkruajti dy libra në fushën e islamistikës: "Qytetërimi Islam" dhe "Përpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit". Janë këta dy libra, sado modest, të cilët Samiu i shkruajti. Në fund të veprës "Qytetërimi Islam" ai na lajmëron edhe për dy libra të tjerë në këtë fushë, pikërisht: "Popujt Islamë, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja" dhe " Qytetërimi Evropian" në të cilin siç thotë Samiu do të trajtonte se qytetërimi i tanishëm evropian ka lindur nga qytetërimi Islam. Për fat të keq këto dy vepra Samiu s'arriti t'i shkruante dot (?).

 

Arsyeja e këtij shkrimi është për ta paraqitur Sami Frashërin ndryshe nga ç’është paraqitur ai deri më sot, ku herë-herë është abuzuar me personalitetin e tij duke e quajtur edhe disa herë filozof me prirje epikurjane, si njeri kundra besimit te Zoti dhe te feja. Por, po të shikojmë këto dy libra do ta njohim Samiun e vërtetë rreth këtyre gjërave dhe do të shohim se thëniet e mësipërme janë të pabaza dhe vetëm si produkt i periudhës se realizmit socialist, që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot. Po të shikojmë librin "Përpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit", do të shohim se Samiu e hap librin me falenderimet ndaj Allahut (xh.sh.) dhe me rënien salavat mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (a.s.). Gjithashtu ai përmend edhe ajetin e Kur'anit në të cilin thuhet: "E vetmja fe e pranuar tek Allahu është Islami", gjithashtu ai në të kundërt nga vëllai i tij, Naimi, që del si bektashi hera-herës dhe panteist në të shumtën e rasteve, na del një musliman suni. Më pas ai vazhdon: "Robi i varfër, nevojtar, Sami Frashëri thotë: Gjuha arabe është gjuhe e gjithë muslimanëve, gjuhë shkencore e përbashkët për gjithë dijetarët. Për këtë arsye, e pashë të nevojshme ta shkruaj këtë doracak të shkurtër në këtë gjuhë… Me këtë doracak nuk kam për qëllim të shfaq dijen dhe fuqinë time krijuese, por dua që të jetë i dobishëm për të gjithë vëllezërit e fesë sonë. Ky doracak, Allahu e ruajtë, bën fjalë për mënyrën e përhapjes së Islamit nëpër vise të ndryshme, për jetën e popujve muslimanë, për viset ku popujt e tyre herët a vonë e pranuan Islamin….".

 

Ndërsa për sa i përket përhapjes së Islamit duke i bërë një krahasim me Krishtërimin, Samiu thotë se, "Islami ndryshe nga Krishtërimi në përgjithësi është hapur vetvetiu, pa përdorimin e forcës". Kështu vazhdon Samiu edhe më poshtë duke dhënë argumente dhe kundërargumente për ata që pretendojnë se Islami është përhapur me forcë. Po të shikojmë librin e dytë, "Qytetërimi Islam", do të shohim një Sami me një kulturë të gjerë, i cili nuk njeh vetëm qytetërimin Islam por njeh edhe shumë qytetërime të Evropës Perëndimore dhe në këtë mënyrë ai shtron shumë çështje interesante. Në fillim të veprës Samiu jep shpjegime të mjaftueshme dhe të arsyeshme rreth dallimit të njeriut nga kafshët dhe dallimin e njerëzve midis tyre. Njeriu, thotë Samiu, ka diçka që s'e ka askush: "Mendjen dhe inteligjencën". Po dallimin mes njerëzve nuk e bën ngjyra e lëkurës apo rroba që ka veshur, por e bën fuqia e tij mendore dhe shkencore, pra qytetërimi i tij. Për Samiun, thelbi i qytetërimit dhe masa e zhvillimit të tij, është dituria. Pas këtyre që thamë pak më lart Samiu futet në thelbin e problemit. Ai u përgjigjet shumë pyetjeve që qarkullonin me së shumti në kohën e tij: Ç'është qytetërimi Islam, fryt dhe rezultat i kujt është ai? A mund të quhet qytetërim Islam, qytetërimi arab? Si dhe sa ka ndikuar qytetërimi Islam në kulturën evropiane? A është i kufizuar qytetërimi Islam vetëm tek një popull dhe te një bashkësi etj?

 

Tezën që edhe sot shumë njerëz e ngatërrojnë, qytetërimin arab me atë Islam, Samiu e shpjegon shumë mirë dhe qartë. Ai thotë se, qytetërimi Islam është fryt i fesë Islame dhe është paraqitur bashkë me paraqitjen e Islamit dhe nuk është produkt mendor dhe përpjekje e popullit arab, sepse po të ishte ashtu, arabët edhe para Islamit, thotë Samiu, do të duhej të ishin të qytetëruar si dhe shton faktin se në përparimin e qytetërimit Islam marrin pjesë të gjithë popujt që e kanë përqafuar Islamin. Gjithashtu ai përmend se shumë dijetarë dhe personalitete të qytetërimit Islam janë joarabë si p.sh. Ibn Sinai është persian, Farabiu është turk, Salahudin Ejubi kurd e kështu me radhë. Samiu sqaron edhe ata shkencëtarë që mendojnë se qytetërimi evropian ka lindur nga qytetërimi i lashtë grek dhe thotë se, Evropa u njoh me Platonin, Aristotelin, Ptolemeun, Euklidin, vetëm nga veprat e përkthyera në gjuhën arabe nga dijetarët islamë. Qytetërimi Islam, ndryshe nga qytetërimet e tjera, ka disa karakteristika të veçanta. Ai, thotë Samiu, nuk është ndërprerë asnjëherë, ndonëse gjithmonë ka pasur përpjekje nga misionarë të ndryshëm edhe për ta zhdukur atë, kjo ndodh, thotë Samiu, sepse ai mbështetet në Fenë Islame e pikërisht në mësimet e Kur'anit dhe të Traditës Profetike. Për të treguar shkallën e qytetërimit islam në 8-9 shekujt e parë të paraqitjes së Islamit, Samiu, tregon për arritjet e muslimaneve në fusha të ndryshme të shkencës: në astronomi, matematikë, histori, gjeografi, në shkencat natyrore, mjekësi, filozofi, letërsi etj. Këtu ai përmend me qindra emra që kanë dhënë kontributin në fushat e mësipërme. E tillë ka qenë bota Islame në 8-9 shekujt e parë, bënin garë në dituri, shkencë, dije fetare etj., arriti puna sa në kohën e halifes së njohur Ma'mun, veprat e dijetarëve të peshoheshin me flori. Këto ishin pak fjalë rreth Sami Frashërit dhe kontributit që ai ka dhënë në fushën e islamistikës. Duke mos pandehur se me këtë shkrim ne shterruam një oqean të madh, siç është edhe vetë Samiu, shpresojmë të kemi hedhur pakëz dritë mbi fakte që deri më tani janë lënë pas dore, ndoshta qëllimisht, nga studiuesit tanë. Zoti e di më të drejtën!

Bektashi Cloud

User login

Navigation

Who's online

There are currently 0 users and 44 guests online.